Marrëdhënie seksuale me kuptim
Në një artikull të botuar në një nga gazetat më të njohura shqiptare, autori, një seksolog i njohur shqiptar, argumenton se mosha e duhur për tu përfshirë në marrëdhënie seksuale është 18 vjeç. Deri në atë moshë, personi është pjekur për tu përfshirë në marrëdhënie intime. Guximi i artikullshkruesit është për tu lavdëruar, sepse ai e ka rritur standartin e moshës, pak më shumë sesa “kultura moderne” e të rinjve të sotëm, që duket se përfshihen në marrëdhënie intime shumë kohë përpara se të bëjnë 15 vjeç. Po Zoti, si mendon për këtë çështje? A është dakord ai me standardin 18 vjeç e sipër? A do t’ia dijë ai për këtë çështje? Disa habiten kur dëgjojnë prej besimtarëve të krishterë se Zoti jo vetëm që ka folur për çështjen e marrëdhënieve seksuale por gjithashtu ka folur mjaft hapur. Që në kapitullin e parë të Zanafillës, librit të parë të Biblës, Zoti krijoj burrin dhe gruan. “Ai krijoi mashkullin dhe femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni… (Zan. 1:27-28)”. Në historinë biblike, na thuhet që “njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm. Dhe burri dhe gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj (Zan. 2:23-24)”. (Nënvizimet janë të autorit të këtij artikulli). Ishte ideja e Perëndisë së pari, që burri dhe gruaja të përjetonin gëzim, kënaqësi në marrëdhënien e tyre intime, ndërsa të dy së bashku i shërbejnë dhe i binden krijuesit. Marrëdhënia intime u krijua nga Perëndia, në mënyrë që njeriun të ishte i frytshëm në përmbushjen e planit të Perëndisë për të populluar gjithë botën, dhe gjithashtu njeriu të përjetonte kënaqësinë. Marrëdhënia intime është produkt i mendjes së Perëndisë. Ai e ka ideuar i pari, ai do që ne të kënaqemi në këtë marrëdhënie në martesë, dhe nuk ka asnjë arsye për të pasur turp prej këtyre marrëdhënieve në çift, sipas planit të Zotit. Pamja e mrekullueshme biblike ndryshon ngjyrë ndërsa historia na thotë që burri dhe gruaja, së bashku, zgjodhën të mos i binden Perëndisë. Pas aktit të mosbindjes (që meqë ra fjala, kishte një domethënie ta jashtëzakonshme dhe me pasoja) burrit dhe gruas “iu hapën sytë… dhe e panë që ishin lakuriq; kështu që ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për tu mbuluar”. Interesante që teksti na thotë që ata së pari “u fshehën nga njëri – tjetri” dhe pastaj nga Perëndia. Mosbindja ndaj Perëndisë është një problem i madh. Kjo mosbindje “ndyu” aspekt të jetës së njeriut, duke përfshirë edhe këndvështrimin tonë për marrëdhëniet intime. Pas kësaj ngjarje, si në çdo fushë tjetër, marrëdhëniet seksuale filluan të dalin nga konteksti original i këndvështrimit të Perëndisë. Ne listë shfaqet turpi, shtrembërim i këndvështrimit të Perëndisë për turpin e njeriut, poligamia, tradhëtia bashkëshortore e vazhdon edhe në ditët e sotme me pornografi, devijime seksuale aq sa edhe martesa tradicionale mes një burri dhe një gruaje nuk konsiderohet më një standard normal e i gjithëpranueshëm. Aq shumë i jemi larguar sot pamjes origjinale të Perëndisë sa besnikëria bashkëshortore konsiderohet “mëkat”, pornografia duket si normalitet, dhe thjesht të mos qënit dakord me martesat brenda së njëjtës gjini quhet “mungesë tolerance”. Kultura e tanishme, e pa ndikuar nga bindjet biblike, vazhdon të ushqejë iluzionin se përfshirja seksuale është thjesht “një aktivitet” siç është fjala vjen një lojë futbolli, që luhet me këdo e kurdo. E vetmja gjë befasuese në këtë realitet, është që Perëndia vetë nuk ka ndërruar mendje. Ai akoma pret prej nesh që ne të jemi besnikë këndvështrimit të tij. Ai akoma mendon që marrëdhëniet seksuale më të mira, më cilësore, dhe që nuk sjellin asnjë pasojë për individin janë ato brenda një çifti që ka marrë vendim të martohet e të përkushtohen ndaj njëri – tjetrit. Jashtë këtij konteksti, marrëdhënia seksuale sjell kënaqësi të përkohshme, por pasoja serioze për personat e përfshirë – dhe gjithashtu gjykim serioz nga Zoti, i cili nuk ka hequr dorë nga drejtësia e tij. Surprizë: Hollivudi nuk ia ka ndryshuar mendjen Perëndisë. Vetëm ka ushqyer “vetëiluzionin” se seksi është dashuri! Dhe Dashuria është Sex. Çfarë do Zoti prej nesh? “Gëzoje jetën me gruan që do për të gjitha ditët e jetës tënde…” thotë autori i librit biblik të Predikuesit (9:9). “Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t`i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë. Sepse ju e dini se ç`urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus. Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria; që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder, jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë, dhe që askush të mos mashtrojë ose t`ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam. Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim. Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë.” (I Sel. 1-10) Zoti pret shenjtërinë tonë. Ai pret që të kuptojmë që marrëdhëniet seksuale nuk janë “film” për t’ju ekspozuar të tjerëve, dhe një mjet përftimi. Ai akoma pret prej nesh që ti bindemi atij dhe të mos besojmë gënjeshtrat e këtij realiteti, që pasi të ka mashtruar, të lë në baltë pa mbështetje dhe siguri. Ai e di që përfshirja jonë në marrëdhënie seksuale jashtë martese, sjell pasoja të pariparueshme emocionale, sjell konflikte serioze sociale, që është thjesht një “kënaqësi” e rreme dhe që nuk kthehet më, dhe për ne që jemi ndjekës të mësimeve të Krishtit, përfshirja në marrëdhënie intime jashtë martesës sjell rrënim të dëshmisë së besimit tonë përpara një bote që ka nevojë të shikojë shembuj të mirë që të mund të konsiderojë seriozisht besimin. Një shoqja ime që punonte në një institucion zyrtar përpara disa vitesh, po na thoshte që “s’ka ngelur burrë i martuar pa më propozuar”… Por bijtë e Perëndisë nuk duhet të jenë njësoj… Më vonë do të japim këshilla praktike se si ta ruajmë dëshminë në këtë fushë, dhe gjithashtu disa mendime më specifike rreth pornografisë. Këtë pjesë po e mbyllim duke ritheksuar edhe njëherë se plani i Perëndisë për marrëdhëniet intime është i thjeshtë: Gjej njeriun e duhur për tu martuar. Prit për marrëdhëniet seksuale deri sa të martohesh. Meqë ra fjala, një sekret mes nesh: të presësh për seks në martesë, mund të të ndihmojë për ta gjetur njeriun e duhur! Dhe nëse ke pritur, kur të martohesh, do ta shijosh siç duhet e pa asnjë ndjenjë faji, krijimin e mahnitshëm të Perëndisë për marrëdhëniet intime… Afrim Karoshi |
VizioniThirrja jonë parësore është ta duam Perëndinë me gjithë zemër. Prej kësaj rrjedhin: *Një jetë në adhurim *Rritje në karakter të perëndishëm .... |
![]() |